Skip to main content

Më 1 maj 1995 , në Medari afër Nova Gradishkës, u vranë 22 civilë dhe për këtë askush nuk është ndëshkuar kurrë

Građani 10. maj 2025.
6 min čitanja

Është përvjetori i tridhjetë, ndoshta, i krimit më të rëndë individual të luftës të kryer nga Ushtria Kroate gjatë luftës në Kroaci nga viti 1991 deri me 1995.

Është përvjetori i tridhjetë, ndoshta, i krimit më të rëndë individual të luftës të kryer nga forcat kroate gjatë luftës në Kroaci nga viti 1991 deri më 1995.:në këtë ditë, para tridhjetë vitesh, me 1 maj 1995 rreth orës gjashtë të mëngjesit, njësitë e Ushtrisë Kroate (HV) hynë në fshatin Medari, gjashtë kilometra në perëndim të Nova Gradishkës në Slavoninë Perëndimore, dhe vranë 22 civilë, nër ta tre fëmijë dhe njëmbëdhjetë gra. Deri më sot, askush nuk është mbajtur përgjegjës për këtë krim, megjitëse dihet saktësisht cilat njësi të HV-së hynë atë mëngjes në Medari.

Krimi u krye në fillim të operacionit që zyrtarisht quhej operacioni ushtarako-policor “Bljesak”, me të cilin trekëndëshi nga Pakraci dhe Lipiku në veri deri te hyrjet e Novskës në perëndim dhe Medarët në lindje u rikthye në rendin kushtetues dhe juridik të Kroacisë, pasi për katër vjet kishte qenë i spastruar etnikisht nga kroatët, i paarritshëm për autoritetet kroate dhe nën okupimin e Republikës Serbe të Krajinës së vetëshpallur. Ishte një aksion ushtarako-policor legjitim, me të cilin filloi finalja tre mujore e një procesi politik dhe të armatosur për çlirimin përfundimtar të Kroacisë, por gjithashtu edhe një pjesë e një procesi më të gjerë për përfundimin e luftës në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, i cili përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Dejtonit në Paris në fund të atij viti 1995.

Për këtë arsye, krimi në Medari është edhe më absurd, i kryer pa asnjë justifikim ushtarak apo taktik dhe i denjë për çdo dënim: në vend që autoriteti kroat të përdorte të drejtën e vet legjitime për mbrojtje dhe ta çlironte vendin pa viktima të panevojshme, veçanërisht pa viktima civile, që në vetë fillimin është kryer një krim lufte monstruoz, rëndësia e të cilit bëhet gjithnjë e më serioze me kalimin e viteve, sepse as sistemi gjyqësor, e as shoqëria kroate në tërësi, nuk tregojnë gatishmëri që ky krim të dënohet dhe të gjykohet, e viktimat të kompensohen në mënyrë të besueshme.

“Isha fëmijë, çfarë mund të bëja?”

Krimin e mbijetuan Zvjezdana dhe Sllagjana, vajzat gjashtë dhe katër vjeçare të Zhelko Diçkës. Njëzet e gjashtë vjet pas tragjedisë, në vitin 2021, atëherë 32-vjeçarja Zvjezdana tregoi për javoren e Zagrebit Novosti se çfarë kishte ndodhur:“Ate mëngjes u zgjuam shumë herët, para orës gjashtë. Nëna shkoi në punë në Okuçane, ku punonte si motër patronazhe për UNHCR-in (Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë), ndërsa babai doli në oborr për të marrë dru. Motra dhe unë e prisnim në kuzhinë, ku ai duhej të ndizte zjarrin dhe të na përgatiste mëngjesin. Papritur dëgjuam zhurmë, iu afruam dritares dhe pamë ushtarë duke iu afruar shtëpisë sonë. Njëri prej tyre i tha babait: ‘Zhelko, dorëzohu.’ E qëlluan me plumb në ballë dhe ra në pragun e kuzhinës. Është e qartë që këtë e bëri dikush që e njihte. Sepse, si do ta dinte ndryshe emrin e tij? Edhe pse isha vetëm gjashtë vjeç, menjëherë e kuptova çfarë po ndodhte. Instinktivisht i vendosa dorën motrës në gojë që të mos e dëgjonin duke bërtitur. Nuk na vunë re dhe vazhduan më tej. E pastaj erdhën britmat tmerruese të fqinjëve tanë të parë. Isha fëmijë, çfarë mund të bëja…”, tregoi Zvjezdana.

Sipas informacionit nga Këshilli i Kombit Serb (SNV), institucionit të autonomisë kombëtare serbe në Kroaci, të gjitha 22 viktimat ishin civilë të kombësisë serbe. Ndër to, kishte tre fëmijë dhe njëmbëdhjetë gra, dhe shumica e burrave ishin të moshuar. Viktima më e re kishte 7 vjeç, ndërsa më e vjetra 88 vjeç, dhe madje u vranë shtatë anëtarë të familjes Vukoviq. Ata u vranë “në mënyrë të egër, me armë zjarri dhe armë të ftohta”. Sipas dëshmive të familjarëve të viktimave, banorët e Medarëve besonin se në rastin e hyrjes së Ushtrisë Kroate në fshat, do t’i mbronte forcat e Kombeve të Bashkuara (UNPROFOR – Forcat e Mbrojtjes së Kombeve të Bashkuara), baza e të cilave ndodhej fare afër, rreth njëzet metra nga shtëpia e viktimës, Zhelko Diçka. Ata nuk i mbrojtën.

Këto janë emrat e viktimave të vrara: Lleposava Burujeviq, e lindur në vitin 1925; Mille Burujeviq, i lindur rreth vitit 1935; Rade Çanak, i lindur në vitin 1907; Draga Çanak, e lindur në vitin 1919; Ruzha Diçko, e lindur në vitin 1943; Zhelko Diçko, i lindur në vitin 1967; Draga Gjumiq, e lindur në vitin 1919; Jovan Grmusha, i lindur në vitin 1933; Jella Mrkonjiq, e lindur rreth vitit 1945; Anka Ninikoviq, e lindur në vitin 1919; Nikolla Popoviq, i lindur në vitin 1927; Nada Popoviq, e lindur në vitin 1930; Dragan Romaniq, i lindur rreth vitit 1935; Zorka Tomiq, e lindur në vitin 1927; Kata Vllaisavleviq, e lindur në vitin 1930; Angjellija Vukoviq, e lindur në vitin 1959; Ranko Vukoviq, i lindur në vitin 1955; Goran Vukoviq, i lindur në vitin 1984, një djalë 11 vjeçar; Gordana Vukoviq, e lindur në vitin 1987, një vajzë 8 vjeçare; Millutin Vukoviq, i lindur në vitin 1945; Cvijeta Vukoviq, e lindur në vitin 1950; dhe Dragana Vukoviq, e lindur në vitin 1988, një vajzë 7 vjeçare. Trupat e viktimave u ekshumuan pesëmbëdhjetë vjet pas krimit, në korrik të vitit 2010, por, sipas informacioneve të fundit, të gjitha viktimat ende nuk janë identifikuar deri më sot.

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka vendosur

Krimi kurrë nuk është hetuar dhe as nuk është ndëshkuar. Duket se nuk ka arritur as në fazën e hetimit nga ana e prokurorisë. Sipas informacionit të Qendrës për Ballafaqim me Të Kaluarën Documenta nga Zagrebi, hetimi është ende në fazën e hetimit paraprak kundër autorëve të panjohur, megjithatë duhet theksuar se aksioni “Bljesak”, ndryshe nga aksionet shpesh kaotike të forcave mbrojtëse kroate katër vjet më parë, në vitin 1991, kur Ushtria Kroate ishte ende në fazat e para, ishte një operacion ushtarako-policor i strukturuar hierarkikisht, ku dihej saktësisht se cilat njësi sulmonin në cilat drejtime. Javore Novosti ka transmetuar informacionet nga Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë, sipas të cilave në atë zonë kishin avancuar „Batalioni i 81-të Gardist, Brigada e Pestë Gardiste dhe pjesë të Brigadës së Parë, të Dytë dhe të Tretë Gardiste“. Sipas pohimeve të avokatëve të viktimave, në Medarë në momentin e krimit nuk kishte njësitë paramilitare të Republikës Serbe të Krajinës së vetëshpallur. Deri në verën e vitit 2010, hetimi i krimit ishte në juridiksionin e Prokurorisë Shtetërore të Qarkut në Slavonski Brod, dhe më pas u transferua te Prokuroria Shtetërore e Qarkut në Osijek. Vitin e kaluar, me rastin e përvjetorit të 29-të të krimit, Documenta ka ftuar „policinë dhe Prokurorinë Shtetërore të Qarkut në Osijek që të përfundojnë veprimet paraprake të hetimit dhe të ngrejnë aktakuzën që e kanë paralajmëruar për vite me radhë.

Disa nga viktimat përpiqen të realizojnë drejtësinë vetë. Radmilla dhe Mirjana Vukoviq, të cilat fatmirësisht ishin tek të afërmit e tyre në Bosnje dhe Hercegovinë në ditën e krimit, por që humbën babain e tyre Millutin (50 vjeç), nënën Cvijeta (45 vjeç) dhe motrën më të vogël Dragana (7 vjeç), më 4 shtator 2006, paditën para Gjykatës së Rrethit në Nova Gradishka. Dy muaj më vonë, gjykata e hodhi padinë si “të pabazuar”. Prokuroria, nga ana tjetër, refuzoi kërkesën e tyre për marrëveshje, pasi vlerësoi se vrasja e prindërve dhe motrës së tyre nuk ishte një krim lufte, por “dëm lufte”, prandaj, sipas interpretimeve të prokurorisë, rasti kaloi në skadim. Mbi të gjitha, u urdhëruan që të paguajnë shpenzimet gjyqësore të procesit, dhe për këtë arsye, gjykata e Rrethit në Nova Gradishka caktoi një masë ekzekutimi për shtëpinë e papërfunduar të tyre në Medarë, të cilën dy herë përpiqej ta shiste. Nuk pati interesim. Vitin e kaluar, qeveria kroate hoqi dorë nga kërkesat e ngjashme nga viktimat e luftës, dhe shpresojmë që së paku shtëpia e tyre t’u mbeti. Ato, megjithatë, nuk janë dorëzuar nga kërkimi i drejtësisë. Ata kanë paraqitur një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, për të cilën, sipas informacioneve të fundit, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka vendosur.

Tridhjetë vjet më vonë, Kroacia çdo vit – dhe veçanërisht në përvjetorët e rroundë – e feston me ceremoni fillimin e çlirimit të suksesshëm të Slavonisë Perëndimore. Sipas të dhënave nga Ministria e Dëmshpërblimeve të Kroacisë, në aksionin Bljesak humbën jetën 42 ushtarë të Ushtrisë Kroate, 162 të tjerë u plagosën, nga të cilët nëntë vdiqën nga pasojat e plagosjes. Lideri i asaj kohe i Republikës Serbe të Krajinës së vetëshpallur, Millan Martiq, për hakmarrje ndaj Bljesak, urdhëroi sulmin me raketa ndaj Zagrebit, në të cilin më 2 dhe 3 maj 1995 u vranë shtatë, dhe u plagosën 205 civilë. Për këtë krim lufte, Millan Martiq u dënua përfundimisht me 35 vjet burg në vitin 2008 nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Derisa sot, krimi në Medarë është fshehur dhimbshëm dhe turpshëm. Pothuajse askush nuk e kujton viktimën përveç atyre që ishin më të afërm. Ndër ata janë edhe motrat Zvjezdana dhe Sllagjana, të cilat humbën prindërit dhe motrën më të vogël. Ato kujtojnë vetëm një histori ngushëlluese nga ky makth i vrasjeve dhe luftës; histori për “ushtarët kroatë, emrin e të cilëve ende nuk e dinë”. Kjo ndodhi pikërisht në këtë ditë të dhimbshme, 30 vjet më parë. “Pas disa orësh, ata shkuan nga shtëpia në shtëpi për të kontrolluar, ndoshta, nëse dikush kishte mbijetuar”, tregoi Zvjezdana për gazetën Novosti të Zagrebit. “Dëgjuam që dikush po afronte, dhe u fshehëm në dollap. ‘Ju lutem, mos na vrisni, ne nuk kemi bërë asgjë të keqe’, iu lut ushtarit që na gjeti. ‘Mos u shqetësoni, kam ardhur për t’ju shpëtuar’, përgjigji ai dhe pastaj më mori në krahë, ndërsa tjetri mori motrën. Kështu na çuan deri në një shtëpi aty pranë, ku ishte Kryqi i Kuq“.

Boris Pavelliq (Autonomija/foto:documenta.hr)

Përkthyer nga: Lenka Rabasović

Tekst je napisan uz podršku Pro Peace Beograd, u okviru projekta “Jedan dan u mesecu”