"E mbaj në portofolin tim si kujtesë se kujtesa nuk ka pse dhe nuk duhet të na ndajë, dhe se është një zgjedhje që e bëjmë vetë"

Tridhjetë e një vjet, kjo është tre vjet më pak se unë, dhe për kaq kohë disa nëna ende nuk e dinë se çfarë u ka ndodhur fëmijëve të tyre, madje as atyre që janë ende gjallë.
Mami më telefonoi sot, vetëm për të më dëgjuar, edhe pse e di se ku jam dhe çfarë po bëj, është e rëndësishme që ajo të dëgjojë zërin tim dhe të shkëmbejë disa informacione kryesisht të parëndësishme, sepse informacioni nuk është çështja, mami thotë se gjithçka është ndryshe dhe se zemra e saj është në vendin e duhur kur dëgjon zërin tim. Disa nëna nuk e dinë se ku kanë qenë fëmijët e tyre që nga 11 korriku 1995, ato nuk kanë as një kockë të vogël për të varrosur si provë se fëmijët e tyre kanë qenë ndonjëherë gjallë. Ato nuk kanë një vend për të vendosur një lule, si simbol të gjithë butësisë dhe dashurisë që nuk arritën t’u jepnin. Ato kanë një plagë që asgjë nuk e shëron, një kohë të pacaktuar dhe një shpresë që i copëton dhe i mban gjallë. Asnjë nënë, asnjë qenie njerëzore nuk meriton të vdesë ndërsa jeton.
Drejtësia është shumë më tepër sesa një vendim gjykate dhe një lloj procedure ligjore. Drejtësia është gjithashtu një ndjenjë dhe nuk vjen domosdoshmërisht dhe vetëm nga fakti që autorët e krimeve u ndëshkuan, dhe shumë prej tyre jo. Një ndjenjë e një lloj drejtësie mund të ofrohet nga njerëzit për njerëzit, por shumë nuk e duan atë.
Ditën tjetër mora një mesazh nga një koleg nga universiteti, i cili tani është tashmë avokat dhe ushtron profesionin në Serbi. Ndava në rrjete një postim në lidhje me gjenocidin në Srebrenicë, i cili përmban një ftesë për të ndezur qirinj në rrugë. Ai thotë: „Do të ishte krejtësisht në rregull të shkruhej „krim në Srebrenicë“. Për të, i cili nuk humbi askënd në atë „krim“, është e rëndësishme nëse shkruan një krim apo një gjenocid, dhe ai nuk mund ta kuptojë fare pse do të ishte e rëndësishme për viktimat, pra të mbijetuarit. Ai as nuk mund ta kuptojë ose pranojë një shpjegim ligjor, dhe i gjithë arsimimi i tij është ligjor. Dhe atij nuk i pëlqen padrejtësia. Iu përgjigja se mund ta quajmë Stefan, por nuk e quajmë kështu sepse në gazeta ai ka një emër tjetër, dhe Stefan është një emër vërtet i bukur, i shkon më shumë, një emër i bukur, më i mirë se i tiji, gjithashtu nga dinastia Nemanjiq, nuk shoh ndonjë problem.
Mohimi i kualifikimit ligjor duket krejtësisht i parëndësishëm në një kohë kur kemi kaq shumë vendime, dëshmi, prova, deklarata, rezoluta dhe madje edhe ligje në Serbi që përcaktojnë qartë se Serbia njeh të gjitha vendimet e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë. E megjithatë nuk është e parëndësishme dhe as e padëmshme, sepse Srebrenica është afër nesh, jetojmë pranë njëri-tjetrit dhe me njëri-tjetrin. Mohimi dhe relativizimi është ajo që na mban peng të së kaluarës, është ajo që thellon hendekun dhe traumën, është pika ku nuk jemi më njerëz, por armiq.
Kjo, në fund të fundit, është ajo që lejon mbijetesën dhe popullaritetin e politikave toksike nacionaliste që nuk janë në interes të popullit. Ato politika nuk mbrojtën askënd, as atëherë dhe as tani, dhe ky nuk është një mendim, është një fakt lehtësisht i verifikueshëm. Këtu qëndron përgjegjësia e të gjithë atyre që kontribuojnë në të, pavarësisht se për kë votojnë dhe nëse janë të vetëdijshëm për këtë, dhe vetëm kur të bëhemi të vetëdijshëm për këtë do të kuptojmë se secili prej nesh mund të kontribuojë për një të ardhme më të mirë me gjeste dhe ndryshime të vogla çdo ditë. Sigurisht, asgjë nuk mund të krahasohet me përgjegjësinë e politikanëve që ushtrojnë pushtet dhe helmojnë popullsinë duke përdorur të gjitha burimet shtetërore dhe private. Kontributi i tyre në përçarje dhe distancimin e njerëzve nga njerëzit është i padiskutueshëm. Fshehja pas popullit, flamurit, viktimave të kombësisë serbe sjell vetëm trazira, zemërim dhe dëshirë për hakmarrje. Unë jam kundër kësaj, nuk pajtohem me këtë sepse jam mjaftueshëm burrë, grua dhe serb për t’i rezistuar kësaj, flas kundër saj publikisht dhe ndonjëherë me zë të lartë.
Njerëzit në Srebrenicë nuk u vranë aksidentalisht, ata u vranë me planifikim dhe me qëllim. Trupat e tyre nuk u nxorën nga vendi në vend pa asnjë arsye. Çdo vit, më 11 korrik, varrosen trupa të rinj, domethënë pjesët e tyre të vogla që janë gjetur dhe identifikuar. Këtë vit është 10, një numër që përfaqëson 10 persona dhe të gjitha familjet e tyre që do të varrosin të dashurit e tyre 31 vjet më vonë, gjë që me siguri do të sjellë të paktën një grimcë të vogël paqeje.
11 vjet më parë, mora një lule nga Srebrenica si dhuratë nga një vajzë boshnjake në Srebrenicë, e mbaj në portofolin tim si kujtesë se kujtesa nuk ka pse dhe nuk duhet të na ndajë, dhe se është një zgjedhje që e bëjmë vetë, por edhe për njëri-tjetrin.
Çdo 11 korrik, ndez një qiri, jo vetëm për të vdekurit, por edhe për të gjallët. Për ta dhe për ne. Edhe pse për mua jemi të gjithë Ne, megjithëse jam i vetëdijshëm se shumë nuk e shohin kështu.
Ndjej boshllëk ndërsa e shkruaj këtë, jo për shkak të së kaluarës, por për shkak të së tashmes. Megjithatë, shpresa nuk më la kurrë sepse përmes punës sime përjetova dhe pashë shumë gjëra të mira, dhe përpiqem të kontribuoj në krijimin e mundësive që shumë të rinj të ndiejnë, shohin dhe përjetojnë të njëjtën gjë.
Unë i zgjedh fjalët, kryesisht gjithmonë, sepse e di që janë të rëndësishme për të gjithë, e njëjta gjë vlen edhe kur flas për Srebrenicën.
Prandaj është e rëndësishme për mua se si thuhet diçka.
Përkthyer nga: Lenka Rabasović
(Autonomija)
Tekst je napisan uz podršku Pro Peace Beograd, u okviru projekta “Jedan dan u mesecu”


STUPS: Fair play